Paris–Madrid për një ditë, plani hekurudhor 550 miliardë euro i BE
Imagjinoni të hani një kroasant për mëngjes në Paris dhe gazpacho për drekë në Madrid, falë një udhëtimi me tren që zgjat vetëm gjashtë orë.
Kjo mund të bëhet së shpejti e mundur në kuadër të planit të Komisionit Europian për të zhvilluar lidhje të reja dhe më të shpejta hekurudhore në të gjithë kontinentin.
“Sot, linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë janë ende të përqendruara vetëm në disa shtete anëtare: Spanjë, Francë, Itali dhe Gjermani. Ndërkohë që Europa Qendrore dhe Lindore, për fat të keq, mbeten ende me lidhje të dobëta,” tha të mërkurën Komisioneri i BE-së për Transportin e Qëndrueshëm dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas, pasi paraqiti vizionin e ekzekutivit europian për udhëtime me tren më të shpejta dhe potencialisht më të lira nëpër Europë.
“Imagjinoni të udhëtoni mes Berlinit dhe Kopenhagenit për katër orë në vend të shtatë. Në atë rast, treni padyshim do të preferohej më shumë se avioni,” shtoi ai.
Plani synon të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme kohët e udhëtimeve me tren midis qyteteve të mëdha europiane gjatë dy dekadave të ardhshme dhe përfshin krijimin e një linje nga Talini në Varshavë, me ndalesa në Riga dhe Vilnius, me një kohë totale udhëtimi prej 7 orësh e 40 minutash, si dhe një linjë nga Lisbona në Paris përmes Madridit, që do të zgjasë rreth nëntë orë.
Deri në vitin 2030, udhëtime si Kopenhagen-Berlin do të ulen nga shtatë në katër orë, Paris–Romë nga 10 orë e 50 minuta në 8 orë e 45 minuta, dhe Vjenë–Ljubljanë nga pak mbi gjashtë orë në katër orë e gjysmë. Deri në vitin 2035, Pragë–Vjenë do të zgjasë vetëm 2 orë e 15 minuta në vend të katër, Vjenë–Varshavë 4 orë e 15 minuta në vend të 7 orë e 30 minutash, dhe Sofje–Athinë gjashtë orë në vend të pothuajse katërmbëdhjetë.
Faza përfundimtare, e planifikuar për vitin 2040, do të shkurtojë udhëtimin Budapest–Vjenë nga 2 orë e 40 minuta në 1 orë e 40 minuta, dhe Budapest–Bukuresht nga pesëmbëdhjetë orë në vetëm pak më shumë se gjashtë orë.
Një raport i Greenpeace, i publikuar në vitin 2023, zbuloi se biletat e trenave janë, mesatarisht, dyfish më të shtrenjta se fluturimet, që do të thotë se çmimi mbetet thelbësor për ta bindur publikun të kalojë nga aeroplanët tek trenat.
“Trenat me shpejtësi të lartë duhet të jenë konkurrues dhe të përballueshëm,” tha Komisioni të mërkurën. Për ta arritur këtë, ekzekutivi i BE-së propozon rritjen e numrit të kompanive operuese për të nxitur konkurrencën dhe për të ulur çmimet për konsumatorët, “siç është parë në vende si Spanja dhe Italia”, çka ka sjellë “ulje çmimesh dhe rritje të numrit të pasagjerëve”.
Komisioni gjithashtu njoftoi një propozim ligjor për të përmirësuar sistemet e shitjes dhe rezervimit të biletave hekurudhore ndërkufitare.
“Ne do ta paraqesim këtë në fillim të vitit 2026, në mënyrë që të gjithë pasagjerët të jenë në gjendje, me një klikim në telefonin ose kompjuterin e tyre, të rezervojnë dhe të blejnë një biletë ndërkufitare përmes kompanive të ndryshme,” tha Tzitzikostas.
Linjat e reja do të përfaqësojnë një investim madhor për BE-në, rreth 550 miliardë euro, dhe Komisioni planifikon të zhvillojë një strategji financimi që kombinon burime publike dhe private. Ai gjithashtu synon të rrisë kapacitetin e Europës për të prodhuar trena.
Sipas Komisionit, porositja e një treni të ri aktualisht kërkon pritje prej katër deri në gjashtë vjet, ndërsa konkurrentët, veçanërisht në Azi, lëvizin shumë më shpejte./monitor(https://monitor.al/paris-madrid-per-nje-dite-plani-hekurudhor-550-miliarde-euro-i-be-se/)
Më të lexuarat






